Inspektorati i Punës ndalon punimet në 12 vendpunishte në Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri, Prizren e Ferizaj

Inspektorati Qendror i Punës pas kontrolleve të kryera në 12 vendpunishte në komunat Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri, Prizren dhe Ferizaj ka vendosur për ndalimin e punimeve pas tha se gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Për këtë arsye, IQP ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 12 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë. Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e sigurisë së punëtorëve. Rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë”, tha Inspektorati në njoftim.
Inspektorati Qendror i Punës u zotua se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje që rrezikon jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

