Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht dy vendet më të avancuara në procesin e integrimit evropian dhe pritet të jenë të parat që do t’i bashkohen Bashkimit Evropian nga radhët e vendeve kandidate. Kjo nuk është rezultat i favorizimit politik, por një perspektivë realiste e bazuar në progres konkret, u theksua në një forum të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike.
Sipas analizës së prezantuar në Vjenë, megjithëse Shqipëria gëzon një pozicion të favorshëm në rrugën drejt BE-së, sfida si përqendrimi i pushtetit dhe faktorët e paqëndrueshmërisë rajonale – përfshirë rolin e Serbisë në Mal të Zi – e bëjnë më të mundshëm një skenar të anëtarësimit të pjesshëm, të paktën në fazën e parë.
Çfarë nënkupton anëtarësimi i pjesshëm?
Sipas ekspertëve të wiiw, anëtarësimi i pjesshëm do të thotë që Shqipëria:
-
hyn në tregun e brendshëm të BE-së pa tarifa dhe barriera jo-tarifore;
-
bëhet pjesë e politikave ekonomike dhe rregullatore evropiane;
-
përfiton fonde strukturore, bujqësore dhe infrastrukturore, më të mëdha se fondet aktuale të para-anëtarësimit;
-
zbaton legjislacionin e BE-së.
Megjithatë, në këtë fazë vendi nuk do të ketë të drejta të plota politike, si e drejta e votës në Këshillin e BE-së, komisioner evropian apo përfaqësim të plotë në Parlamentin Evropian.
Përfitime konkrete për ekonominë
Analistët vlerësojnë se ky model do t’i sillte Shqipërisë:
-
akses real të kompanive shqiptare në tregun evropian;
-
rritje të interesit të investitorëve të huaj, që do ta trajtonin vendin si pjesë të hapësirës ekonomike të BE-së;
-
integrim më të shpejtë në zinxhirët evropianë të prodhimit dhe shërbimeve.
Nga ana e BE-së, ky skenar shihet si një mënyrë për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor, për ta lidhur më fort rajonin me ekonominë evropiane dhe për të kufizuar ndikimin e aktorëve të tjerë gjeopolitikë, pa marrë menjëherë vendime politike të ndjeshme për zgjerimin e plotë.
Lëvizja e lirë dhe sfidat
Sa i përket lëvizjes së qytetarëve, anëtarësimi i pjesshëm do të sillte më shumë mundësi për punë dhe studime në BE, por ende me kufizime. Modeli i përmendur është i ngjashëm me disa aspekte të marrëdhënieve që BE-ja ka sot me Norvegjinë apo Zvicrën, por më i kufizuar.
Ekspertët e Vjenës theksuan se Ballkani Perëndimor ka pritur gjatë në “radhën evropiane”, ndërsa përfitimet ekonomike nga procesi i konvergjencës kanë qenë të kufizuara. Megjithatë, ndryshe nga disa vende të tjera, rajoni – përfshirë Shqipërinë – ka arritur të tërheqë investime të huaja direkte dhe ka një situatë makroekonomike relativisht të qëndrueshme. Sfida kryesore mbetet mungesa e konkurrueshmërisë dhe nevoja për politika industriale më të forta.
Sipas këtij vlerësimi, Shqipëria dhe Mali i Zi mund të jenë brenda BE-së në aspektin ekonomik dhe rregullator brenda tre viteve të ardhshme, ndërsa anëtarësimi i plotë politik mund të kërkojë më shumë kohë.

