Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po vazhdon aksionin e kontrolleve të produkteve të qumështit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë ditës së sotme janë inspektuar markete në rajonet e Prizrenit, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Gjilanit.
Në kuadër të këtyre inspektimeve janë konstatuar ende në treg produkte të cilat janë ndaluar për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, shkruan lajmi.net.
“Konkretisht, nga raftet e marketeve të inspektuara janë tërhequr këto produkte:
* Qumësht 3.2% VIDAS – 1 L
* Holla Cooking Cream – 1 L
* Garden Milk – 1 L
* Spec me krem VIDAS – 1 kg
* Magic Cream – 400 g
* Schmand 18% – 800 g
* Djath i bardhë 100% – 250 g”, ka njoftuar MINTI.
MINTI ka njoftuar se inspektorët e IQMT-së kanë urdhëruar operatorët ekonomikë që këto produkte të tërhiqen menjëherë nga raftet e shitjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“IQMT u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu, duke respektuar vendimet e autoriteteve kompetente dhe legjislacionin në fuqi. Po ashtu, IQMT u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që, nëse hasin në treg ndonjërin nga produktet e lartcekura, të ndaluara për shitje nga AUV, ta raportojnë rastin përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000”, ka njoftuar MINTI.
Ditë më parë, AUV ka publikuar rezultatet e disa produkteve të qumështit që kanë rezultuar me vaj palme dhe qumësht pluhur e të cilat nuk janë deklaruar në etiketë.

