Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga programi i pasurimit të uraniumit, duke e cilësuar atë si një “çështje krenarie kombëtare”, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga sulmet ajrore të fundit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Në një intervistë për televizionin amerikan Fox News, Araghchi theksoi se pasurimi është një arritje shkencore dhe teknologjike e pandalshme për Iranin. “Dëmet janë të rënda, por nuk mund të heqim dorë. Është një arritje e shkencëtarëve tanë dhe tashmë është çështje e krenarisë kombëtare,” tha ai.
Sidoqoftë, diplomati iranian la të hapur mundësinë për dialog me Uashingtonin, duke nënvizuar se Irani mbetet i gatshëm për një marrëveshje të re bërthamore, por pa bisedime të drejtpërdrejta “për momentin”.
“Nëse SHBA vjen me një zgjidhje të favorshme për të dyja palët, jam i gatshëm për t’u angazhuar. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo masë për të vërtetuar se programi ynë është dhe do të mbetet paqësor, në këmbim të heqjes së sanksioneve,” u shpreh Araghchi.
Përplasje pas sulmeve ajrore
Pas një vale bombardimesh të koordinuara nga Izraeli dhe SHBA më 13 qershor, të cilat shënjestruan objekte ushtarake dhe bërthamore iraniane, programi i pasurimit pësoi dëmtime serioze. Pentagoni njoftoi se sulmet kanë vonuar progresin e Iranit për të paktën një deri në dy vjet.
Mbi 900 persona u vranë në Iran dhe 28 në Izrael para se një armëpushim të hynte në fuqi më 24 qershor.
Ndërkohë, Araghchi konfirmoi se autoritetet iraniane janë duke vlerësuar ndikimin e sulmeve mbi materialin e pasuruar dhe se rezultatet do t’i paraqiten së shpejti Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Megjithatë, bashkëpunimi me IAEA është pezulluar përkohësisht, pasi Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, firmosi një ligj që ndalon inspektorët ndërkombëtarë të veprojnë në terren.
Përpjekje diplomatike në sfond
OKB-ja ka përshëndetur dialogun e ri mes Iranit dhe vendeve evropiane. Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, konfirmoi se këtë të premte në Turqi do të zhvillohen bisedime midis Iranit, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Palët evropiane kanë paralajmëruar se nëse Irani nuk rikthehet në tryezën e negociatave, sanksionet ndërkombëtare do të rivendosen.
Araghchi përfundoi deklaratën e tij me një mesazh të qartë:
“Ka një zgjidhje të negociuar për programin tonë bërthamor. E kemi arritur një herë më parë dhe jemi të gatshëm ta bëjmë përsëri.”
Ky zhvillim vjen në një moment kritik për sigurinë rajonale dhe përpjekjet ndërkombëtare për frenimin e përhapjes së armëve bërthamore.