Irani i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin dorë nga, siç i ka quajtur, “kërkesat e tepruara” në negociatat për një marrëveshje të re bërthamore, pas raundit të fundit të bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abas Arakçi, deklaroi se arritja e një marrëveshjeje kërkon shmangien e kërkesave të tepërta dhe çdo lloj kalkulimi të gabuar nga ana e Uashingtonit.
Sipas mediave ndërkombëtare, në negociatat e fundit SHBA kanë kërkuar që Irani të shkatërrojë tre nga instalacionet kryesore bërthamore dhe të dorëzojë stoqet e uraniumit të pasuruar jashtë vendit. Teherani e ka refuzuar këtë propozim, duke kundërshtuar mbylljen e impianteve bërthamore dhe ndalimin e pasurimit të uraniumit.
Nga ana tjetër, Irani ka propozuar disa alternativa për uljen e tensioneve, duke përfshirë reduktimin e nivelit të pasurimit të uraniumit nga 60 për qind në rreth 1.5 për qind, apo pezullimin e tij për disa vite.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur edhe më shumë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump në Kongres, ku ai akuzoi Iranin për përpjekje për zhvillimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike – akuza që Teherani i ka mohuar.
Në të njëjtën kohë, SHBA kanë rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme duke dërguar avionë luftarakë dhe anije luftarake në rajon, ndërsa Irani ka paralajmëruar një “përgjigje të gjerë” në rast të ndonjë sulmi.
Ekspertët vlerësojnë se negociatat aktuale mund të jenë një nga mundësitë e fundit për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore, pasi në rast dështimi nuk përjashtohet as një përshkallëzim i mëtejshëm i situatës.

