Rrjeti i njohur kriminal i Visit të Pojës (Elvis Doci), një prej grupeve më të mëdha shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës, ka marrë një tjetër goditje të fortë nga autoritetet italiane. Prokuroria Antimafia e Brescias ka lëshuar 24 masa sigurie, ndërsa operacioni u shtri në Itali, Shqipëri, Angli dhe Francë. Gjatë hetimeve pesëvjeçare, grupi dyshohet se ka trafikuar 1.3 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
10 masa sigurie u ekzekutuan në Breshia, ndërsa 3 arrestime u kryen në Shqipëri, nën drejtimin e SPAK: Asti Llupi, Erald Salla dhe Altin Shehaj. Prokuroria e Posaçme konfirmon se në Shqipëri gjenden edhe tre persona të tjerë të kërkuar nga drejtësia italiane.
Përveç Visit të Pojës, masa sigurie janë lëshuar edhe për njerëzit e tij të besuar Indrit Tafili dhe Olgert Shqevin, të cilët kërkohen edhe për “Operacionin Ura”.
Arrestohet oficeri i Antiterrorit në Tiranë
Operacioni goditi edhe brenda institucioneve të rendit shqiptar. Me urdhër të SPAK, u arrestua oficeri i Antiterrorit Igli Haxhiaj, i dyshuar për dekonspirim të hetimeve ndaj grupit. Ai është prangosur brenda Akademisë së Sigurisë, ku ndodhej për një trajnim. Sipas burimeve, Haxhiaj dyshohet të ketë informuar rrjetin kriminal gjatë kohës që shërbente në Forcat Operacionale.
Ndërkohë, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka autorizuar 35 kontrolle dhe veprime hetimore për 21 persona të tjerë të përfshirë në rrjet.
Si funksiononte organizata kriminale?
Grupi kishte bazën kryesore në Shqipëri, ndërsa degëzimet operonin në Itali. Hetuesit zbuluan se Denis Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doci jepnin urdhra përmes aplikacioneve të enkriptuara, të cilat u deshifruan falë bashkëpunimit ndërkombëtar.
• Kokaina vinte nga Amerika e Jugut dhe fshihej në kamionë të rëndë që hynin në Evropën Veriore, më pas dërgohej në Itali.
• Heroina transportohej nga Shqipëria drejt Italisë me autobusë — shpesh pa dijeninë e shoferëve.
• Në Itali, droga depozitohej dhe shpërndahej nga 6 baza logjistike, kryesisht në provincat e Brescias (Rovato, Palazzolo).
• Paratë ktheheshin në Shqipëri me autobusë në linjën Itali–Shqipëri.
Një rol kyç ka pasur edhe kompania e transportit e administruar në mënyrë të tërthortë nga Giuseppe Iorio, i vendosur në arrest shtëpie.
Lidhjet me Sacra Corona Unita
Degëzimet në jug të Italisë, të menaxhuara nga Altin Shehaj dhe Vincenzo Bruno, kanë bashkëpunuar ngushtë me struktura pranë Sacra Corona Unita, organizata mafioze e Pulias.
Çfarë sekuestruan autoritetet?
-
130 kg drogë (kokainë + heroinë), me vlerë rreth 12 milionë euro
-
550 mijë euro cash
-
10 automjete
-
1 armë zjarri
Në total, 49 persona janë nën hetim, 46 prej tyre shqiptarë.
Personat me masë arresti në burg (Italia)
Vincenzo Bruno, Arlin Buzali, Donald Cala, Gazmend Ferhati, Elton Gjegja, Adriatik Hasa, Erion Kapidani, Oltion Lala, Asti Llupi, Denis Myftiu, Altin Shehaj, Gazmend Shehu, Bledin Doci, Elvis Doci (Visi i Pojës), Juljan Hyka, Eduart Leba, Gentian Shaba, Ogert ShqevI, Denis Tafili, Indrit Tafili, Klodian Vata.
Arrest shtëpie
Giuseppe Iorio, Erald Salla, Enkeleid Tirjaku.

