Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve – faza e parë e planit të Presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, që ka shkaktuar mbi 67,000 viktima dhe ka ndryshuar ekuilibrat në Lindjen e Mesme. Marrëveshja erdhi vetëm një ditë pas përvjetorit të sulmit ndërkufitar të Hamasit dhe pas bisedimeve indirekte në Egjipt, në kuadër të fazës së parë të kornizës 20-pikëshe të planit të paqes së Trump.
Lajmi u prit me festime në Tel Aviv dhe Gaza. Familjet izraelite të pengjeve ndezën fishekzjarrë, ndërsa palestinezët dolën në rrugë me flamuj dhe brohoritje. Abdul Majeed Abd Rabbo nga Khan Younis tha: “I gjithë Rripi i Gazës është i lumtur, i gjithë populli arab dhe e gjithë bota janë të lumtur me armëpushimin dhe fundin e gjakderdhjes.”
Presidenti Trump njoftoi se të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt, ndërsa Izraeli do të tërheqë trupat në një vijë të rënë dakord, duke e cilësuar këtë hap si fillimin e një Paqqeje të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi si një “sukses diplomatik dhe fitore morale për Izraelin”, ndërsa Hamasi theksoi se marrëveshja përfshin tërheqjen izraelite dhe shkëmbimin e pengjeve-të burgosurve.
Autoritetet e Gazës raportojnë mbi 67,000 viktima dhe shkatërrim masiv të enklavës që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor 2023. Rreth 1,200 izraelitë janë vrarë dhe 251 morën peng, me 20 pengjet që besohet të jenë ende të gjalla. Familjet e pengjeve u mblodhën në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv dhe falënderuan Trump për ndërmjetësimin. Hamasi tha se pengjet e gjalla do të dorëzoheshin brenda 72 orëve, ndërsa nxjerrja e trupave të pengjeve të vdekur kërkon më shumë kohë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kërkoi hyrje të menjëhershme humanitare në Gaza, ndërsa vendet arabe kërkuan që plani i Trump të çojë drejt krijimit të një shteti palestinez të pavarur. Faza tjetër parashikon një organi ndërkombëtar për administrimin e Gazës pas luftës, ndërsa Hamasi kërkon të qeveriset vetëm nga një qeveri teknokrate palestineze nën mbikëqyrjen e Autoritetit Palestinez.
Analistët paralajmërojnë se kjo marrëveshje është vetëm një hap fillestar dhe lufta ende nuk ka përfunduar, ndërsa akuzat për gjenocid ndaj Izraelit mbeten në qendër të debatit ndërkombëtar.