Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli është i vendosur të pushtojë tërësisht Rripin e Gazës, duke kaluar nga faza e sulmeve në kontroll të drejtpërdrejtë ushtarak të territorit palestinez. Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka miratuar tashmë një plan të detajuar për këtë ndërhyrje, e cila përfshin edhe një prani afatgjatë të ushtrisë në këtë zonë.
“Ne do të kalojmë nga kryerja e sulmeve në një prani të përhershme në Gaza,” ka thënë Netanyahu, duke nënvizuar se Izraeli nuk ka ndërmend të tërhiqet pas këtij operacioni.
Sipas planit të miratuar, forcat izraelite pritet të zhvendosin popullsinë palestineze nga veriu në jug të Gazës, ndërkohë që objektivi kryesor i ndërhyrjes është mposhtja e Hamasit dhe lirimi i pengjeve që kjo organizatë ende mban. Qeveria izraelite ka deklaruar se Hamasi duhet të ndalojë gjithashtu çdo përpjekje për të penguar shpërndarjen e ndihmës humanitare.
Netanyahu ka përmendur gjithashtu mbështetjen e tij për një version të modifikuar të planit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, që parashikonte “emigrimin vullnetar” të banorëve të Gazës. Ky plan, i cili nënkuptonte që SHBA të merrnin një rol dominues në administrimin e territorit, është përballur me kritika të ashpra ndërkombëtare.
Ndërkohë, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se ushtria duhet të ruajë kontrollin në zonat e pushtuara, duke i kthyer ato në “zona sigurie” nën mbikëqyrjen e përhershme të Izraelit.
“Ushtria do të qëndrojë në ato zona, përkohësisht ose përgjithmonë, për të vepruar si tampon ndërmjet armikut dhe komuniteteve izraelite,” u shpreh Katz, duke shtuar se në rast se Hamasi nuk liron pengjet, operacioni do të zgjerohet më tej.
Këto deklarata sinjalizojnë një ndryshim të thellë në strategjinë izraelite ndaj Gazës, duke shkaktuar shqetësim të gjerë për përshkallëzim të mëtejmë të konfliktit dhe pasojat humanitare që mund të pasojnë nga një pushtim i tillë.