Pas miratimit të marrëveshjes së paqes me Hamasin, Izraeli ka nisur procesin e lirimit të afro 2 mijë të burgosurve palestinezë, pjesë e planit për shkëmbimin me pengjet izraelite të mbajtura në Gaza. Të liruarit po transferohen nga pesë burgje izraelite, mes tyre 250 persona të dënuar me burgim të përjetshëm dhe rreth 1,700 të arrestuar pas sulmeve të 7 tetorit.
Sipas marrëveshjes, Hamasi duhet të dorëzojë deri të hënën të gjithë pengjet izraelite — 20 të gjallë dhe 28 të vdekur — në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë. Ndërkohë, mijëra banorë të Gazës kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të enklavës, pasi ushtria izraelite (IDF) ka përfunduar fazën e parë të tërheqjes nga territori. Armëpushimi hyri në fuqi menjëherë pasi marrëveshja mori miratimin zyrtar të qeverisë së Izraelit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh optimist për qëndrueshmërinë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
“Unë besoj se do të qëndrojë. Ata janë të lodhur nga luftimet,” deklaroi Trump për gazetarët, duke konfirmuar planet e tij për të vizituar Izraelin dhe Egjiptin gjatë fundjavës.
Ndërkohë, grupet palestineze — Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës — kanë theksuar në një deklaratë të përbashkët se “nuk do të pranojnë asnjë dominim të huaj” në Rripin e Gazës, duke shtuar se “qeverisja e Gazës është një çështje tërësisht palestineze”.
Sipas burimeve ndërkombëtare, rreth 200 trupa amerikane që ndodhen tashmë në Lindjen e Mesme do të zhvendosen në Izrael për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit. Ata do të jenë pjesë e një Task Force ndërkombëtare të përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së paqes në Gaza.

