Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore të hënën vonë, me qëllim pushtimin e Qytetit të Gazës pas javësh bombardimesh intensive. Tanket izraelite hynë në qytet pas sulmeve ajrore masive, raportuan mediat lokale.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të martën herët se “Gaza po digjet” dhe se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po godasin “me grusht të hekurt infrastrukturën terroriste”. Deri tani, IDF nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi zhvillimet e operacionit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka theksuar se pushtimi i Qytetit të Gazës është i domosdoshëm për të mposhtur grupin militant Hamas, i cili më 7 tetor 2023 vrau 1,200 persona dhe mori 251 pengje. Sipas autoriteteve, 48 pengje mbeten në Gaza, prej të cilëve rreth 20 besohet të jenë gjallë.
Të martën e kaluar, Izraeli intensifikoi operacionet me një sulm ajror në Katar kundër udhëheqësve të Hamasit. Në të njëjtën ditë, Netanyahu urdhëroi një evakuim të plotë të Qytetit të Gazës, duke paralajmëruar se ky është vetëm fillimi i ofensivës tokësore.
Para nisjes së sulmit tokësor, rreth 300,000 banorë kishin lënë qytetin drejt jugut, ndërsa rreth 700,000 kanë mbetur ende, sipas raportimeve të Jerusalem Post.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, nën kontrollin e Hamasit, raporton se më shumë se 64,000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite. Agjencitë e OKB-së dhe ekspertët e pavarur e konsiderojnë këtë shifër gjithësisht të besueshme, ndërsa vëzhguesit paralajmërojnë se uria ka prekur disa zona të enklavës.