Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë mbrëmë në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica International Jazz”, që po zhvillohet në Parkun e Qytetit të Mitrovicës.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se festivali ndërthur dimensionin ndërkombëtar dhe universal të muzikës me veçantinë e zhanrit të jazz-it, duke e cilësuar si një ngjarje që sjell muzikë cilësore, krijon lidhje të reja dhe pasuron jetën kulturore të qytetit.
Ky edicion përfshin nëntë koncerte me pjesëmarrjen e artistëve nga Holanda dhe Britania e Madhe, duke ofruar një kombinim të talentit ndërkombëtar dhe mikpritjes vendase. Ngjarjet po zhvillohen në të dy anët e lumit Ibër, çka sipas Kurtit, simbolizon bashkimin kulturor të Mitrovicës.
“Nuk mund ta pengojë askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor. Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojë ta mbështesë këtë festival dhe çdo nismë që fuqizon jetën kulturore. Sepse aty ku ka kulturë dhe art, ka zhvillim, mirëkuptim dhe mjedis për të gjithë njësoj”, tha ai.
Kurti falënderoi organizatorët, institucionet, artistët dhe komunitetin për kontributin e tyre në realizimin e festivalit, duke uruar që “Mitrovica International Jazz Festival” të rritet çdo vit dhe të ofrojë më shumë muzikë, bashkëpunim dhe mundësi për Mitrovicën dhe mbarë Kosovën.