Juventusi ka vendosur të ndryshojë qëndrim për të ardhmen e sulmuesit të ri Francisco Conceiçao, duke u përgatitur të paguajë 30 milionë euro për ta bërë kartonin e tij pronë të klubit bardhezi. Lajmi është raportuar nga mediat portugeze, të cilat bëjnë të ditur se drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” tashmë janë të vendosur ta aktivizojnë klauzolën e blerjes.
Futbollisti portugez ishte në një pozicion të paqartë nën drejtimin e trajnerit Igor Tudor dhe dukej se huazimi i tij nga Porto do të përfundonte këtë verë, pa u ushtruar opsioni i transferimit të plotë. Megjithatë, forma e tij e fundit, veçanërisht dygolëshi kundër skuadrës Al Ain në Botërorin e Klubeve, ka ndryshuar gjithçka.
Sipas raportimeve, Juventusi është i gatshëm të paguajë 30 milionë euro para datës 15 korrik – afat kyç për klauzolën në kontratën e Conceiçãos. Pas kësaj date, çmimi i kartonit të sulmuesit rritet në 45 milionë euro, çka do të thotë se bardhezinjtë po veprojnë me shpejtësi për të kursyer 15 milionë euro.
Conceiçao, i biri i trajnerit të njohur Sergio Conceiçao, shihet si një prej talenteve më premtues të futbollit portugez, dhe performanca e tij në muajt e fundit ka bindur drejtuesit e Juventusit për ta bërë pjesë të projektit afatgjatë të klubit.