Kancelari gjerman Friedrich Merz ka hapur një rrugë të re për përdorimin e aseteve sovrane ruse të ngrira në Europë, me qëllim financimin e rezistencës ukrainase dhe përfundimin e luftës. Sipas tij, deri në 140 miliardë euro të rezervave ruse mund të përdoren për të mbështetur kapacitetin ushtarak të Ukrainës.
Qëndrueshmëria ushtarake e Ukrainës, prioritet europian
Merz shkroi në një letër për Financial Times se mobilizimi i këtyre fondeve nuk ka për qëllim të zgjatë luftën, por të detyrojë Moskën të ulet në tavolinën e bisedimeve për një armëpushim. “Europa është në provën ndoshta më të madhe në historinë e saj. Gjermania duhet të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë – dhe do ta bëjë”, tha kancelari.
Ai theksoi se konfiskimi i rezervave të bankës qendrore ruse do të bëhet me kujdes për të respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe për të mos dëmtuar euron si monedhë rezervë globale.
Fondet do të shkojnë për ushtrinë, jo për buxhetin civil
Skema e propozuar do të përdorë këto fonde vetëm për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës. Sipas Merz, kostoja e përpjekjes ushtarake të Kievit arrin aktualisht rreth 62 miliardë dollarë në vit dhe po rritet vazhdimisht. Fondet ruse do të jenë shtesë ndaj ndihmës nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë, pa e zëvendësuar atë.
Roli i industrisë europiane të mbrojtjes
Kancelari gjerman theksoi gjithashtu se vendimet për përdorimin e fondeve do të merren në bashkëpunim mes qeverive europiane dhe Kievit. “Një program i tillë do të ndihmojë në forcimin dhe zgjerimin e industrisë europiane të mbrojtjes,” tha Merz, duke nënvizuar se një pjesë e prodhimeve ushtarake mund të realizohet në impiante gjermane dhe europiane, përfshirë armët e gjeneratës së ardhshme dhe përdorimin e dronëve dhe inteligjencës artificiale.
Kthesa europiane pas tërheqjes amerikane
Ky lëvizje erdhi pasi Shtetet e Bashkuara kanë treguar tërheqje nga skena ukrainase, veçanërisht pas takimit Trump-Putin në Alaska dhe fjalimeve të fundit në OKB. Kryeministri polak Donald Tusk komentoi se optimizmi i Brukselit fsheh një reduktim të përfshirjes amerikane dhe një transferim të përgjegjësisë për përfundimin e luftës tek Europa.
Reagime të mundshme dhe sfida
Ndërsa skema mund të ndihmojë në financimin e qëndrueshmërisë ukrainase, ajo pritet të shkaktojë reagime nga Kremlini, përfshirë mundësinë e sekuestrimit të pronave të kompanive perëndimore në Rusi. Megjithatë, zyrtarët europianë e shohin këtë si një hap jetik për mbrojtjen e Kievit dhe për të ruajtur ndikimin e tyre në rajon.
Burimi: Corriere della Sera