Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj – tre nga Turqia dhe një nga Maqedonia e Veriut – të dyshuar për veprat penale të lëshimit të çeqeve pa mbulesë ose të rreme, keqpërdorimit të kartelave bankare dhe shpëlarjes së parave.
Sipas hetimeve, të pandehurit A.S., A.S., S.O. (shtetas të Turqisë) dhe S.E. (shtetas i Maqedonisë së Veriut), gjatë periudhës nga 11 nëntor 2024 deri më 20 shkurt 2025, kanë regjistruar biznese fiktive në ARBK dhe hapur llogari bankare në Kosovë. Përmes POS-terminaleve të këtyre bankave, ata kanë klonuar dhe keqpërdorur qindra kartela bankare ndërkombëtare, kryesisht të shtetasve nga Danimarka dhe vende të tjera, duke realizuar përfitime të paligjshme që arrijnë shumën prej 372,900.42 euro.
Më tej, të njëjtit kanë tërhequr para kesh nga bankomatet dhe kanë transferuar shuma të konsiderueshme jashtë Kosovës, kryesisht në Turqi, me qëllim fshehjen e origjinës së parave dhe shmangien nga pasojat ligjore. Ky aktivitet është kualifikuar si shpëlarje e parave, sipas nenit 302 të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Aktualisht, të pandehurit ndodhen në paraburgim. Prokurori i shtetit ka propozuar vazhdimin e kësaj mase deri në përfundim të procedurës gjyqësore.
Ky rast konsiderohet një nga skemat më të mëdha të shpëlarjes së parave dhe mashtrimit financiar të zbuluar kohët e fundit në Kosovë.