Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) ka filluar të shtunën shkyçjen e rreth 450 bizneseve në gjithë Kosovën, pasi ka përfunduar afati i përcaktuar për lidhjen e kontratave me furnizues alternativë të energjisë elektrike.
Ky zhvillim pason vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, e cila më 13 gusht vendosi në favor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke refuzuar kërkesën për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë.
Sipas njoftimit të KEDS-it, rreth 600 njehsorë do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër fizikisht nga ekipet në terren. Kompania ka konfirmuar se ekipet operative janë mobilizuar në të gjitha rajonet e Kosovës.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Me këtë vendim, të gjitha bizneset me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Në periudhën 1 qershor – 31 korrik, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, ka mbuluar përkohësisht furnizimin e këtyre bizneseve. Deri më 31 korrik, mbi 250 kompani private kanë nënshkruar kontrata me Operatorin për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ndërsa dhjetëra kërkesa të tjera janë ende në shqyrtim.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim të energjisë, ndërsa tre të tjera janë në proces licencimi.
Reagimet ndaj këtij zhvillimi kanë qenë të menjëhershme. Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë shprehën shqetësim për vendimin e Gjykatës Komerciale, duke theksuar se procesi mund të ndikojë negativisht në stabilitetin e bizneseve. Oda ka paralajmëruar se do të ndjekë më tej rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim.
Liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për Energjinë Elektrike të vitit 2016, por zbatimi i tij është shtyrë disa herë për shkak të rrethanave të ndryshme. Ndërkohë, në vendet e Bashkimit Evropian ky proces ka nisur në fund të viteve ’90, me qëllim rritjen e konkurrencës, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Në Ballkanin Perëndimor, procesi mbetet ende në zhvillim.