Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të zhvillohen punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës në disa zona të vendit.
Sipas njoftimit, ndërprerjet do të prekin rajonet e Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës, me orare të përcaktuara gjatë ditës.
Prishtinë
Ndërprerjet do të ndodhin mes orës 11:00 – 15:00 dhe 09:00 – 14:00 në disa zona të Fushë-Kosovës, rrugëve kryesore industriale dhe Podujevës, për shkak të mirëmbajtjeve preventive dhe ndërrimit të pajisjeve.
Pejë
Nga ora 09:00 – 15:00, zona të Isniqit dhe Dardanisë do të mbesin pa energji për shkak të ndërrimit të shtyllave dhe pastrimit të trasesë.
Prizren
Ndërprerjet do të zgjasin nga ora 10:00 – 15:00 në fshatra si Nasheci, Mazrek dhe Gjonaj, për punime sigurie.
Ferizaj
Zona e Kaçanikut do të jetë pa rrymë nga 10:30 – 15:00, për shkak të ndërrimit të shtyllave dhe izolatorëve të dëmtuar.
Mitrovicë
Vushtrria 2 do të ketë ndërprerje nga ora 09:00 – 14:00 dhe 11:00 – 14:00 në disa lagje dhe fshatra për mirëmbajtje të rrjetit.
Gjakovë
Në Rahovec, ndërprerjet janë paraparë nga 10:30 – 15:00 për instalimin e kabllove të reja të tensionit të mesëm.
KEDS thekson se punimet janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit dhe u bën thirrje qytetarëve të planifikojnë në kohë nevojat e tyre gjatë ndërprerjeve.

