Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të shtunën, më 24 janar 2026, do të realizohen punime të planifikuara në rrjetin elektrik, me qëllim rritjen e sigurisë dhe modernizimin e sistemit energjetik. Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve, në disa zona të vendit do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike.
Në rajonin e Prishtinës, punimet do të zhvillohen si pjesë e projekteve investive dhe punimeve nga pala e tretë. Nga nënstacioni Badovci do të ndërpritet dalja Hajvalia–Badovc nga ora 09:00 deri në 10:00, duke prekur Hajvalinë dhe një pjesë të Graçanicës. Po ashtu, nga Prishtina 7 do të ketë ndërprerje nga ora 09:00 deri në 17:00 në disa trafostacione të Hajvalisë, për shkak të demontimit të rrjetit të vjetër. Ndërkohë, në dy termine të shkurtra gjatë ditës (10:00–10:20 dhe 15:40–16:00), do të ketë ndërprerje në zona të Lagjes së Spitalit, Muharrem Fejzës, Jakov Xoxës dhe rrugëve përreth, për shkak të manipulimeve teknike në rrjetin e tensionit të mesëm.
Në Fushë-Kosovë, nga ora 08:00 deri në 12:00, një pjesë e qytetit do të mbetet pa energji elektrike për shkak të punimeve sipas pëlqimit elektro-energjetik.
Në rajonin e Ferizajt, nga ora 09:00 deri në 17:00, do të ketë ndërprerje në disa fshatra të Lipjanit, përfshirë Dobratinin, Sllovinë, Gllavicën dhe Marevcin, për shkak të ndërrimit të përçuesve, konzollave dhe izolatorëve në linjën ekzistuese.
Edhe rajoni i Gjilanit do të preket nga ndërprerjet. Në qytetin e Vitisë, në rrugën “Flaka e Janarit”, furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet nga ora 10:00 deri në 16:00, si pasojë e punimeve të planifikuara nga pala e tretë.
KEDS u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të marrin masa paraprake dhe falënderon konsumatorët për mirëkuptimin gjatë realizimit të këtyre punimeve, të cilat synojnë një rrjet më të sigurt dhe më të qëndrueshëm energjetik.

