Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të hënën, më 13 prill 2026, do të ketë ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në disa zona të rajonit të Pejës.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerjet do të realizohen për shkak të punimeve në rrjet, konkretisht në kuadër të projekteve investive për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit energjetik.
Punimet do të zhvillohen në nënstacionin TS 110/10 kV në Deçan, ku do të ndërpritet dalja 10 kV “Isniqi” nga ora 08:00 deri në 17:00.
Si pasojë, pa energji elektrike gjatë kësaj periudhe do të mbesin këto lokalitete:
Ahmetgjekajt, Tishukajt, Mehmetaj, Mulajt, Kuklec, Osadautaj, Tahirsylaj, Rexhametaj dhe Osmanajt.
KEDS ka bërë të ditur se arsyeja e ndërprerjes lidhet me zhvendosjen e transformatorit dhe kabllove ekzistuese në një sistem të ri, investim që synon përmirësimin afatgjatë të furnizimit me energji.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim gjatë kohës së realizimit të punimeve.

