Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B, konkretisht në sistemin e gypave brenda kaldajës, rreth orës 10:00.
Pas vlerësimeve teknike dhe për shkak të pamundësisë për operim të sigurt, si pasojë e harxhimeve të larta të ujit dhe rrezikut për dëmtime më të mëdha teknike, KEK ka vendosur që njësia B1 të shkyçet nga operimi para orës 18:00, si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të njësisë.
Furnizimi me energji i siguruar
KEK ka bërë të ditur se, pavarësisht ndaljes së njësisë B1, furnizimi me energji elektrike për qytetarët mbetet i garantuar. Sistemi elektroenergjetik po operon në mënyrë stabile me katër njësi gjeneruese, duke realizuar një prodhim ditor prej rreth 13,560 MWh, që mbulon 87.6% të kërkesës totale për konsum.
Sipas parashikimeve të KESCO-s, kërkesa totale për ditën e nesërme është 15,471 MWh, ndërsa pjesa e mbetur e nevojave për shërbimin universal do të mbulohet përmes:
-
blerjes së energjisë në bursën ALPEX, dhe
-
shkëmbimit të energjisë me KESH Sh.A., bazuar në marrëveshjen ekzistuese të bashkëpunimit.
KEK po ashtu ka bërë të ditur se ka arritur të sigurojë edhe rreth 75% të kërkesave për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes (KEDS) dhe atë të transmisionit (KOSTT).
Për kohën e rikthimit të njësisë B1 në operim, KEK njofton se opinioni do të informohet me kohë, pas përfundimit të kontrolleve dhe vlerësimeve teknike.
KEK Sh.A. thekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese dhe garantimit të një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.

