Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rekomanduar për kontratë kompaninë e derivateve “EX-Fis” Sh.P.K. në tenderin me titull “Furnizim me mazut”, me vlerë prej 158 mijë euro.
Kompania “Ex Fis”, e njohur në publik edhe si donatore e Lëvizjes Vetëvendosje në kohën kur kjo parti ishte në opozitë, vazhdon të jetë përfituese e kontratave publike, veçanërisht nga Korporata Energjetike e Kosovës, e cila ndër vite i ka dhënë një numër të konsiderueshëm tenderësh për furnizim me derivate.
Sipas njoftimit të publikuar sot, më 2 korrik 2026, KEK e ka rekomanduar kompaninë “EX-Fis” për kontratën në vlerë prej 158 mijë eurosh, e cila është zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, shkruan Insajderi.
“EX-Fis” do bëjë furnizimin me mazut për KEK.
Ndërkaq, në dosjen e tenderit thuhet se sasia e kërkuar është 250 (dyqind e pesëdhjetë) ton.
“Afati i furnizimit: suksesivisht në kohëzgjatje prej max. 15 ditë pas nënshkrimit të kontratës. Plani dinamik i liferimit duhet të jetë: minimum 200 tona te liferohen brenda 4 dite pas nënshkrimit te kontratës, ndërsa pjesa tjetër prej 50 ton, liferohet brenda 10 dite pas lëshimit te fletëporosisë nga Autoriteti Kontraktues“, thuhet në njoftim.
Kjo nuk është hera e parë që KEK lidh kontrata të këtij lloji me “Ex Fis”.
Lista e tenderëve
Vetëm gjatë muajve të fundit, korporata i ka dhënë kompanisë disa kontrata për furnizim me mazut përmes procedurës së negociuar.
Gazeta Insajderi ka raportuar me 19 shkurt, se njëra nga këto kontrata njëburimore për furnizim me mazut arrinte vlerën prej 260 mijë eurosh.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën elektronike të prokurimit publik pesë kontrata të kësaj kompanie me KEK-un rezultojnë ende në realizim, ndërsa disa të tjera tashmë janë përfunduar.
Në mesin e tyre figuron edhe një kontratë me vlerë rreth 2 milionë euro, një tjetër me vlerë rreth 700 mijë euro, si dhe një kontratë tjetër prej rreth 500 mijë eurosh.
Tenderi me vlerën më të lartë që aktualisht është në realizim lidhet me furnizimin me vaj për ngrohje – mazut, me vlerë afro 700 mijë euro.
Përveç KEK-ut, kontrata me “Ex Fis” ka lidhur edhe Ministria e Infrastrukturës, e cila në vitin 2023 i kishte dhënë kompanisë një tender për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale në vlerë rreth 100 mijë euro.
Sipas të dhënave të prokurimit publik, që nga viti 2022, kompania “Ex Fis” ka përfituar mbi 6 milionë euro kontrata nga institucionet shtetërore gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkohë, kompania është rikthyer në qendër të vëmendjes edhe për një çështje tjetër.
Së fundmi, Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AAC) i ka miratuar “EXFIS” të drejtën për të ofruar shërbime të furnizimit me kerozinë për aeroplanët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për periudhën 1 janar 2026 – 31 dhjetor 2032.
Sipas dokumenteve të publikuara, lista e shërbimeve të miratuara për kompaninë përfshin organizimin dhe ekzekutimin e operimeve për mbushjen dhe zbrazjen e derivateve, deponimin e tyre, si dhe kontrollin e cilësisë dhe sasisë së karburanteve.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës, gjatë muajit qershor, ka autorizuar Policinë e Kosovës të zhvillojë hetime për kontratën e lidhur ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil dhe kompanisë “EXFIS”, pas dyshimeve për favorizim.
Për çështjen e kontratës me Autoritetin e Aviacionit Civil kishte reaguar edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, i cili kishte deklaruar se çdo zyrtar që dëshmohet se ka keqpërdorur detyrën do të përballet me drejtësinë.
“O vëlla e motër me pasë, kur kapet duke keqpërdorur, vendin e ka në burg. Ky është zotimi im dhe do të mundohem të punoj me zell”, tha ai në RTV Dukagjini.
Ex Fis donator i Vetëvendosjes
Kompania e derivateve Ex Fis, njihet në publik edhe si financuese e Lëvizjes Vetëvendosje, sa kjo e fundit ishte në opozitë.
“EX FIS”, figuronte me vlerën më të madhe të mallrave si donacion, duke ia dhuruar tashmë partisë në pushtet plot 9,534 euro përgjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
Po ashtu, të dhënat e shpenzimeve të LVV-së për periudhën 2020-2023 dhe 2024, tregojnë se partia është furnizuar nga kjo kompani për derivatet e automjeteve të saj.

