Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet A.D., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krim lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari akuzohet se gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe zonat përreth në Komunën e Kaçanikut, në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe polic i trafikut në atë rajon, ka marrë pjesë në veprime të dhunshme ndaj popullsisë civile shqiptare.
Prokuroria thekson se më 9 mars 1999, gjatë një aksioni të organizuar policor-ushtarak, i dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave serbe, detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan.
Po ashtu, rreth 400 civilë – burra, gra, pleq dhe fëmijë – u grumbulluan, ndërsa 91 meshkuj u ndanë dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik.
Sipas dosjes së Prokurorisë, 13 prej tyre u ndaluan për t’u marrë në pyetje dhe gjatë kësaj kohe janë rrahur dhe torturuar në mënyrë brutale, fizike dhe psikike, duke pësuar lëndime të rënda trupore. Për këto veprime, dyshohet se përgjegjës është edhe i pandehuri A.D.
Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale, ndërsa vendimi pritet të merret nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

