Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj diskutimeve publike rreth Udhëzimit Administrativ për taksat gjyqësore, duke theksuar se miratimi i tij është bërë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe në ushtrim të mandatit kushtetues dhe ligjor të Këshillit. Sipas njoftimit, ky rregullim ka për qëllim garantimin e qasjes efektive në drejtësi, përmes lirimit nga pagesa e taksave gjyqësore të kategorive që, për shkak të rrethanave sociale, ekonomike apo statusit të veçantë, gëzojnë mbrojtje të shtuar, me përjashtim të çështjeve me karakter monetar.
Për të siguruar këtë qasje, Udhëzimi Administrativ ka përcaktuar dy kategori lirimesh nga pagesa e taksave gjyqësore: kategorinë e personave dhe kategorinë e parashtresave. Lirimi nga pagesa e taksave është paraparë si përgjigje ndaj rrethanave sociale dhe ekonomike të qytetarëve, por edhe si masë balancuese ndaj rregullimit të tarifave, në përputhje me standardin jetësor në Kosovë.
Në kuadër të kategorisë së personave, nga pagesa e taksave gjyqësore lirohen shfrytëzuesit e asistencës sociale, familjet e dëshmorëve dhe të personave të zhdukur gjatë luftës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e viktimave civile të luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara – përfshirë personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër – si dhe personat që gëzojnë të drejtën për ndihmë juridike falas. Po ashtu, nga pagesa e taksave gjyqësore lirohen institucionet shtetërore, si dhe personat në gjendje të rëndë ekonomike, të cilët dëshmojnë se pagesa e taksës do të rrezikonte drejtpërdrejt ekzistencën e tyre ose të familjes.
Në kategorinë e parashtresave, udhëzimi administrativ ka liruar nga taksat gjyqësore gjithsej 26 parashtresa, ku krahasuar me udhëzimin e mëparshëm janë shtuar edhe 17 parashtresa të reja. Këto kanë të bëjnë kryesisht me çështje familjare, sociale, të statusit personal dhe procedura përmbarimore, duke përfshirë kërkesat për alimentacion, mbajtje, besim të fëmijëve, si dhe parashtresat që lidhen me mbrojtjen e kategorive të ndjeshme.
Këshilli Gjyqësor thekson se Udhëzimi Administrativ është hartuar në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, pas një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës të konsultimit publik, i cili është zhvilluar në dy faza. Gjatë këtij procesi janë pranuar komente nga shoqëria civile dhe komuniteti i avokatëve, të cilat janë shqyrtuar dhe adresuar nga Komisioni për Çështje Normative i Këshillit. Si rrjedhojë, udhëzimi konsiderohet rezultat i një analize institucionale dhe konsultimeve profesionale, me synim funksionimin efikas të sistemit gjyqësor dhe menaxhimin e qëndrueshëm të lëndëve gjyqësore.
Ndryshe nga udhëzimi i mëparshëm, rregullimi aktual parasheh rishikim dhe rregullim të tarifave të taksave gjyqësore për Gjykatën Komerciale dhe procedurat përmbarimore, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe trajtimin më të qëndrueshëm të këtyre procedurave. Këshilli thekson se që nga viti 2017 nuk ka pasur asnjë ndryshim në taksat gjyqësore, pavarësisht rritjes së kostove të jetesës dhe zhvillimeve ekonomike, andaj rregullimi aktual është bërë për t’u përshtatur me realitetin ekonomik dhe standardin jetësor në Kosovë, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke zgjeruar ndjeshëm kategoritë e liruara nga pagesa e taksave.
Po ashtu, theksohet se taksat gjyqësore të përcaktuara me këtë udhëzim derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe nuk përbëjnë të hyra të drejtpërdrejta për Këshillin Gjyqësor apo për gjykatat. Në përputhje me parimin e transparencës, Udhëzimi Administrativ dhe tarifat përkatëse janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Këshillit dhe janë vendosur për informim publik në të gjitha gjykatat, në vende të dukshme dhe lehtësisht të qasshme për qytetarët.
Në përfundim, Këshilli Gjyqësor vlerëson se nuk qëndrojnë pretendimet se taksat gjyqësore janë rritur me qëllim zvogëlimin e numrit të lëndëve në gjykata. Përkundrazi, me këtë Udhëzim Administrativ është zgjeruar ndjeshëm lista e kategorive të liruara nga pagesa e taksave gjyqësore, si në aspektin e personave ashtu edhe të parashtresave, duke lehtësuar drejtpërdrejt qasjen në drejtësi për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë dhe duke synuar ndërtimin e një sistemi të drejtë, të barabartë dhe funksional të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

