Dy persona janë arrestuar në lidhje me rastin e tentim-vrasjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në rrugën “Enver Rexhepi” në Gjilan, në afërsi të pikës së karburantit HIB Petrol, ku u raportua për shkëmbim zjarri mes dy automjeteve në lëvizje.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Fatmir Azemi dhe Burim Xhemshiti. Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre priten masa të mëtejme procedurale.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, i plagosur rëndë ka mbetur Arsim Krasniqi, rreth 40 vjeç. Ai fillimisht është dërguar në Emergjencën e Gjilanit dhe më pas është transferuar në QKUK për trajtim të specializuar. Sipas burimeve mjekësore, gjendja e tij aktualisht raportohet stabile.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë xhamash të thyer, ndërsa Policia e Kosovës ka aktivizuar menjëherë “unazën e çeliktë” për lokalizimin e të dyshuarve.
Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë. Burimi: Sinjali.com

