Trupat shumëkombëshe të Komandës Rajonale Perëndimore (RC-W) të KFOR-it u mblodhën në Kampin “Villagio Italia” në Pejë, ku morën pjesë në një nga garat më dinamike dhe më sfiduese ushtarake të këtij viti – “Ushtari më i Mirë”.
Ngjarja bashkoi pjesëtarë nga i gjithë kontingjenti i KFOR-it në një kompeticion sportiv me intensitet të lartë, i konceptuar për të testuar kufijtë fizikë dhe rezistencën taktike të ushtarëve. Pjesëmarrësit përshkuan një marshim të vështirë 15-kilometërshe me pajisje të plota luftarake, duke u përballur me një sërë detyrash që kërkonin shpejtësi, forcë dhe përqendrim të hekurt.
Gjatë garës ata u sfiduan me vrapime, ushtrime fizike të kombinuara, prova qëndrueshmërie dhe një sërë detyrash taktike – nga hedhja e granatave, reagimi CBRN, ngarkesat logjistike, kalimi i terrenit të pjerrët, tiroliana, e deri te qitja me armë. Performanca e ushtarëve dëshmoi disiplinë të lartë, vendosmëri dhe mbi të gjitha frymën e bashkëpunimit që karakterizon misionin e KFOR-it.
Pjesëmarrja e trupave të ndryshme kombëtare është një tregues i qartë i angazhimit të KFOR-it për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Misioni vazhdon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre si mekanizma të sigurisë në terren.
Gara e Pejës ishte më shumë se një test fizik – ishte një demonstrim i qartë i unitetit, profesionalizmit dhe gatishmërisë operacionale të KFOR-it, që mbetet një nga shtyllat kryesore të stabilitetit në vend.

