Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka vendosur të suspendojë nga puna gjyqtaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naime Krasniqi-Jashanica, e cila u përfshi në një skandal të publikuar së fundmi me një audio-incizim që lidhet me një rast të dhunës në familje.
Në njoftimin për media, KGJK bëri të ditur se është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit disiplinor ndaj gjyqtares.
“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit disiplinor, ka themeluar panelin hetimor dhe me votim unanim ka vendosur për suspendimin e subjektit të hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në komunikatë.
Sipas KGJK-së, ky vendim është marrë për të krijuar kushtet e nevojshme që paneli hetimor të zhvillojë hetimin në mënyrë të pavarur, objektive dhe të painfluuar nga faktorë të jashtëm.
Naime Krasniqi-Jashanica u përfshi javën e kaluar në një skandal bashkë me prokuroren tashmë në pension, Edina Jupolli. Në audio-incizim dëgjohen ato duke biseduar me një të akuzuar për dhunë në familje, ndërkohë që shfaqin ofendime dhe përçmim ndaj viktimës së rastit.