Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së sotme njoftoi se të hënën (1 qershor), me vendim të qeverisë, ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ndërkaq, ai tha se të martën nis hapi i parë i zbatimit të këtij ligji, “me fillimin e procesit për themelimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës”.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të sistemit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe zbatimit gradual të të drejtave dhe përfitimeve që parashihen me këtë ligj”, u shpreh Vitia në një postim në Facebook.
Mirëpo, dikush po e konteston këtë deklarim të ministrit në detyrë.
Besim Kodra, kandidat i LDK-së për deputet, përmes një postimi në Facebook, tha se qeveria në detyrë është duke mashtruar me këtë çështje, pasi sipas tij, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është themeluar qysh më 2022 nga Qeveria Kurti, dhe madje, në atë fond aktualisht janë rreth 50 të punësuar, raporton Klankosova.tv.
“Përtej fushatës zgjedhore, po ju tregoj se… Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është i themelum moooti (foto në 2022)… madje edhe para këtij viti. Për me e vërtetu këtë, vetë kjo qeveri e ka hapë konkursin dhe e ka zgjedhë drejtorin e tij. Madje, ministri i Shëndetësisë ka qenë kryetar i Bordit të Fondit! Aq ma tepër, aty tashmë janë në punë afër 50 punëtorë”, tha Kodra.
Tutje, ai tha se në vendimin e publikuar nga qeveria, “pika 1 nuk flet me pikën 2”.
“Në njërën anë po thuhet që Fondi nuk ekziston, ndërsa në anën tjetër për zbatimin e vendimit obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”.
“Qysh mundet me u obligu me zbatu një vendim një institucion që, sipas të njëjtit dokument, nuk ekziston? Kjo nuk ka kurrfarë kuptimi”, u shpreh Kodra, i cili është edhe kryetar i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK).
Ai kërkoi nga opinioni që të mos bien pre e këtij “manipulimi me vendime që janë fantazi elektorale për me marrë vota”.
“Kanë qenë 6 vjet në dispozicion dhe ka dështuar implementimi. Nuk mundeni me një vendim që s’ka pikë kuptimi me na bë me besu që diçka ka me ndodh”, deklaroi Besim Kodra, kandidat i LDK-së për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas të dhënave publike, më 15.05.2014, Ligji Nr. 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor ka hyrë në fuqi.
Pika 2 e Nenit 1 i këtij ligji thotë: “Me këtë ligj themelohet Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Republikës së Kosovës”.
E pika 3, thotë: “Me këtë ligj rregullohet funksionimi dhe financimi i Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës”.

