Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Arsyeja e anulimit të tenderit, sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurorimi, është mospranimi i asnjë oferte.
“Nuk kemi pranuar asnjë ofertë”, thuhet në njoftim.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 284 mijë e 506 euro dhe ishte planifikuar të jepet me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.
Afati për dorëzim të ofertave ka qenë dje.
Në zgjedhjet e kaluara, fletëvotimet janë shtypur nga kompania sllovene “Cetis”.
Në zgjedhjet lokale, kjo kompani kishte cënuar besimin në procesin zgjedhor, me një gabim teknik që e kishte pranuar edhe vetë, lidhur me fletëvotimet në Mitrovicë.
Dyshimet për parregullësi ishin ngritur për fletëvotimet e shtypura në balotazh. Shqetësimet ishin ngritur gjatë procesit të numërimit të votave në Mitrovicë
Pas reagimeve të shumta, kompania e kishte pranuar gabimin teknik gjatë printimit të fletëvotimeve në Mitrovicë, teksa kishte mohuar çdo mundësi manipulimi.
Kompania kishte përgjegjësi të plotë për incidentin, duke theksuar se një gabim i tillë është “pothuajse i pamundur” të ndodhë në rrethana normale dhe se fletët e votimit përmbajnë elemente sigurie që nuk mund të falsifikohen.

