Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët se prej pesë ditësh po kërkon sqarime nga KRU “Prishtina”, dega në Drenas, lidhur me ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë në disa fshatra të komunës. Sipas njoftimit të komunës, përgjigjet e kompanisë kanë qenë të përsëritura dhe të pasakta, duke u arsyetuar me prishje teknike që, sipas tyre, do të sanohej “brenda ditës”, gjë që nuk ka ndodhur.
Komuna thekson se qytetarët po bëhen viktima të një sjelljeje të papërgjegjshme dhe të qëllimshme, që dëmton interesin publik dhe imazhin e qeverisjes lokale, veçanërisht në kohë fushate.
Përveç mungesës së përgjigjeve adekuate, kompania ka reaguar në mënyrë ironike dhe fyese, duke deklaruar se zyrtarët e informacionit nga KRU “Prishtina” ndodhen në Shqipëri. Ndërkohë, KRU “Prishtina” ka vazhduar të publikojë rregullisht njoftime për komunat e tjera, duke përjashtuar pa arsye Drenasin. Komuna e Drenasit e ka cilësuar këtë si një standard të dyfishtë dhe një qasje diskriminuese ndaj qytetarëve të saj.
Komuna ka njoftuar se nuk do të lejojë që qytetarët të mbeten peng i neglizhencës dhe sabotimit. Të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë ndaj KRU “Prishtina” do të shqyrtohen, me qëllim të rikthimit të dinjitetit qytetar dhe garantimin e së drejtës për furnizim të rregullt me ujë.
Bashkëngjitur në njoftim janë edhe fotot që tregojnë publikimet e KRU “Prishtina” për komunat e tjera, ndërkohë që Drenasi nuk përfshihet.

