Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përmbyllur procedurën e prokurimit për furnizim me mobilie në vlerë prej 24,999.60 euro. Dokumentet e tenderit parashohin furnizimin me kabinete, tavolina pune dhe karrige ekzekutive.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila aktualisht drejtohet nga ushtruesi i detyrës së ministrit, Glauk Konjufca, ka finalizuar procedurën e prokurimit për furnizim me mobilie të reja për nevojat e institucionit.
Sipas njoftimit për dhënien e kontratës të publikuar në platformën e prokurimit publik, kontrata me titull “Furnizim me Mobile” është dhënë më 14 korrik 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar të bëhet sot, më 15 korrik 2026, shkruan Demokracia.com.
Në procedurën e tenderimit kanë marrë pjesë gjithsej shtatë operatorë ekonomikë, ndërsa kontrata i është dhënë kompanisë “Mobelland”.
Sipas njoftimit zyrtar, kompania fituese ka ofruar çmimin prej 24,999.60 euro, që njëherësh është shpallur si oferta e përgjegjshme me çmimin më të ulët.
“Furnizim me Mobile. Data e dhënies së kontratës 14.07.2026. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 15.07.2026. Numri i tenderëve të pranuar: 7 Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “Mobelland” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 24,999.60 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Dokumentet e tenderit tregojnë se MPJD ka kërkuar furnizimin me një numër të konsiderueshëm mobiliesh për zyrat e institucionit, duke përfshirë kabinete drejtuesish, tavolina pune dhe karrige ekzekutive.
Sipas specifikimeve teknike, kontrata parasheh furnizimin me pesë komplete kabinetesh, ku secili komplet përfshin tavolinë pune, komodë anësore, komodë me dyer dhe tavolinë të ulët për pritje.
Në dokumentacion thuhet se tavolina e kabinetit duhet të jetë “e punuar nga MDF me trashësi 36 mm me metodë speciale. Struktura e këmbëve duhet të jetë nga metali 40×20 mm me profile të formuara si kuti 20×20 mm me strumbulla të veçanta të aluminit. Këmbët të lyera me elektrostatikë me pluhur, duhet të ketë dy-tri fioka me sistem të hapjes në shtytje dhe sistemin e kalimit të kabllove elektrike.”
Sipas tenderit, tavolina duhet të ketë dimensione 260x90x75 centimetra.
Po ashtu, kompleti përfshin edhe një komodë anësore me dimensione 100x50x66 centimetra, e cila duhet të jetë e punuar nga i njëjti material si tavolina, si dhe një komodë me dyer me dimensione 200x50x75 centimetra, shkruan Demokracia.com.

Në komplet është paraparë edhe një tavolinë e ulët për pritje, me dimensione 80x50x27 centimetra, e cila, sipas dokumenteve, duhet të jetë e ndërtuar nga materiali i njëjtë me tavolinën kryesore dhe me konstruksion metalik të trajtuar me ngjyrë elektrostatike.
Për të gjitha këto produkte, autoriteti kontraktues ka përcaktuar që ngjyra të përcaktohet nga AK. Garancioni 12 muaj.
Përveç kabinetit drejtues, MPJD ka kërkuar edhe furnizimin me pesë tavolina pune me dimensione 180x80x74 centimetra.

Në specifikimet teknike thuhet se “Tavolina e punës është me dimensione 180cm x 80cm x 74cm dhe është e punuar nga materiali kualitativ MDF me trashësi 36 mm. Skajet e tavolinës janë të zbukuruara dhe të lakuara, posedon hapjen e veçantë për kalimin e kabllove. Kontruksioni metalik është i trajtuar me ngjyrë elektrostatike pluhur, i tharë në furrë në temperaturë 220 gradë Celsius, ndërsa këmbët posedojnë rregullimin e lartësisë.”
Në të njëjtën kontratë janë paraparë edhe 20 tavolina pune me dimensione 200x80x74 centimetra, me karakteristika pothuajse identike teknike.
Pjesë e furnizimit janë edhe 20 karrige lëvizëse ekzekutive me mbështetëse të lartë.
Sipas përshkrimit teknik të tenderit, ato duhet të jenë të pajisura me Mekanizim të sinkronizuar, rregullim të lartësisë së ulëses, strukturë monobllok, ulëse dhe mbështetëse të punuar nga një tërësi me sfungjer poliuretani ergonomik me dendësi 45-50 DNS kg/m³

Po ashtu specifikohet se dorezat duhet të jenë “të kromuara me metodën e injektimit, të veshura me eko-lëkurë.”
Tenderi kërkon që karriget të kenë mekanizëm të lëvizjes para, mbrapa, lart-poshtë dhe luhatje në pesë pozicione.


