Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në adresimin e tij në Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i ka bërë thirrje Serbisë që të përballet me realitetin dhe të njohë pavarësinë e Kosovës, duke mos penguar më integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike.
Ai theksoi se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa akuzoi Beogradin për qasje hegjemoniste që, sipas tij, po mban peng zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.
Konjufca u ndal edhe te proceset demokratike në vend, duke vlerësuar organizimin e zgjedhjeve dhe funksionimin e institucioneve të pavarura. Ai akuzoi Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, përmes mbështetjes së Lista Srpska, por theksoi se institucionet kosovare kanë arritur të ruajnë integritetin zgjedhor.
Në fjalën e tij, ai nënvizoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve, por pengesa kryesore, sipas tij, është Serbia, e cila nuk tregon vullnet për marrëveshje.
Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e kryediplomatit serb Marko Gjuriq për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë, duke theksuar se vendi ka standarde të avancuara për mbrojtjen e pakicave.
Konjufca përfundoi duke theksuar se e ardhmja e rajonit varet nga njohja reciproke dhe integrimi në BE dhe NATO, pa pengesa politike dhe retorikë destabilizuese.

