Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbatuar sot një urdhër kontrolli në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në banesën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie.
Sipas komunikatës së përbashkët, operacioni është realizuar mbi bazën e një urdhri të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në kuadër të hetimeve për vepra të dyshuara penale.
Hetuesit e Drejtorisë së Krimeve Ekonomike kanë sekuestruar dokumente dhe prova materiale që do të shërbejnë si elemente të rëndësishme në procedurën hetimore.
Prokuroria po heton dyshime për veprat penale:
-
Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar
-
Falsifikim i dokumenteve zyrtare
-
Shmangie nga pagesa e tarifave doganore dhe akcizore
-
Konflikt interesi
-
Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik
Autoritetet theksojnë se të gjitha veprimet po kryhen në koordinim të plotë dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.