Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A5 është ndalur nga operimi mbrëmjen e sotme rreth orës 20:25, si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në sistemin gypor (ekranet), në kuotën 10–15 metra.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalja është realizuar në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë, me qëllim të parandalimit të defekteve të mundshme dhe kryerjes së sanimeve të nevojshme.
KEK ka bërë të ditur se aktualisht prodhimi i energjisë elektrike vazhdon pa ndërprerje, me katër (4) njësi prodhuese aktive: A3, A4, B1 dhe B2, në përputhje me planin dhe Bilancin e Energjisë Elektrike.
Nga KEK theksojnë se operimi me katër njësi është praktikë normale, ndërsa gjatë periudhave me kërkesë të rritur për energji është angazhuar edhe njësia e pestë.
Në njoftim theksohet gjithashtu se gjatë vitit 2026, KEK ka arritur një nivel rekord operimi, duke funksionuar njëkohësisht me pesë njësi prodhuese për më shumë se 25 ditë, konkretisht nga 1–8 janar dhe nga 15 janari deri më sot. Ky nivel konsiderohet si arritja më e lartë operative që nga viti 2006.
Sipas KEK-ut, kjo performancë reflekton stabilitet teknik, mirëmbajtje të avancuar dhe angazhim maksimal profesional të stafit.
“Menjëherë pas përfundimit të sanimit, Njësia A5 do të rikthehet në operim, me synim vazhdimin e prodhimit me kapacitet maksimal, gjithmonë në përputhje me standardet e sigurisë”, thuhet në njoftim.
KEK ka ritheksuar përkushtimin e saj për operim të sigurt, stabil dhe efikas, në funksion të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

