Kosova është përgëzuar për organizim të mirë të zgjedhjeve të 7 qershorit.
OSBE, Shqipëria dhe shoqëria civile kanë vlerësuar lartë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 7 qershori. Në urimet e tyre, është kërkuar nga partitë politike kompromis për formim të shpejt të institucioneve të reja.
Ndër të parët që e ka uruar Kosovën ka qenë kryediplomati shqiptar Ferit Hoxha.
Në urimin e tij, ai ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës dhe gjitha subjektet politike kanë treguar përgjegjshmëri gjatë këtij procesi.
“Urime Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj, institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, si dhe të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse, për pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar ai.
Në llogarinë e tij në X, ai ka vlerësuar se tani pret krijim të shpejt të institucioneve të reja.
“Ne presim me shumë interes formimin e institucioneve të reja që burojnë nga vullneti i zgjedhësve, për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të gjithanshme në të mirë të interesave tona reciproke dhe të përbashkëta, si dhe për avancimin në rrugëtimin drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Hoxha.
Edhe Gerard McGurk, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, e ka përgëzuar Kosovën për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në llogarinë e tij në X, ai ka shkruar se votuesin kanë folur dhe tani radha është për formimin e institucioneve të reja.
“E përgëzoj KQZ për organizimin e një tjetër procesi zgjedhor të suksesshëm dhe Albin Kurti për rezultatin e partisë së tij. Votuesit kanë folur; tani përgjegjësia u takon atyre që janë zgjedhur. OSBE bën thirrje për formimin në kohë të institucioneve dhe zgjedhjen e Presidentit përmes dialogut dhe kompromisit.”, ka shkruar ai.
Edhe koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor.
Ky koalicion sot ka publikuar Deklaratën Preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ku ka vlerësuar se procesi ëshët zhvilluar sipas standardeve demokratike.
“Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta. Procesi zgjedhor u administrua në mënyrë profesionale dhe efikase, ndërsa votuesit patën mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë”, është thënë në deklaratën preleminare të DnV-së.
Kurse, udhëheqësi i këtij koalicioni, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se sot prioritet është krijimi i institucioneve të reja.
Në profilin e tij në Facebook, a ka shkruar se më 7 qershor qytetarët kanë votuar për të ndalur krizën.
“Përveç rezultateve zgjedhore, edhe pjesëmarrja e ulët ishte një mesazh politik në vete: lodhje, pakënaqësi dhe mosbesim ndaj mënyrës se si po zhvillohet politika. Shumë qytetarë refuzuan të votojnë për zgjatjen e krizave dhe përplasjeve politike në emrin e tyre. Prandaj, sot prioriteti më i madh nuk është fitorja e njërës apo tjetrës parti. Prioritet është konsensusi politik, krijimi i institucioneve të qëndrueshme dhe rikthimi i funksionalitetit të shtetit”.

