Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar dje rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas rezultateve zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 57 ulëse në Kuvend, PDK 22, LDK 15 dhe AAK 6 deputetë. Rezultatet e certifikuara tashmë janë publikuar në webfaqen zyrtare të KQZ-së.
🔗 Në këtë link mund t’i gjeni rezultatet e plota dhe emrat e të 120 deputetëve që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës:
https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/total-results
Hapi i radhës pas certifikimit është thirrja e seancës konstituive të Kuvendit, e cila duhet të mbahet brenda 30 ditësh. Seanca thirret nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa në rast se ajo nuk e bën këtë, Kuvendi mblidhet automatikisht në ditën e 30-të.
Përgatitja e seancës konstituive është përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës paraprake, në këtë rast Dimal Basha, i cili duhet të zhvillojë një takim me krerët e subjekteve parlamentare jo më vonë se pesë ditë para seancës, për të përgatitur rendin e ditës dhe caktuar ulëset e deputetëve.
Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive përfshin katër pika kryesore:
-
formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve,
-
betimin e deputetëve,
-
zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit,
-
zgjedhjen e nënkryetarëve.

