Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale, të mbajtura më 12 tetor. Mbledhja u zhvillua nga ora 15:00, ku kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, prezantoi për secilën komunë numrin e ulëseve të fituara nga partitë garuese.
Gjatë njoftimit u bë e ditur se rezultatet përfundimtare për komunën e Istogut nuk mund të certifikohen sot, për shkak të procedurave që ende nuk janë finalizuar.
Kundërshtime nga anëtarët e VV-së
Certifikimi nuk ishte unanim.
Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, votoi kundër, duke deklaruar hapur se nuk do të mbështesë certifikimin në komunat ku ka fituar Lista Serbe.
Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, i cili po ashtu kundërshtoi votimin e rezultateve në komunat e udhëhequra nga Lista Serbe.
Megjithë kundërshtimet, shumica e anëtarëve miratuan certifikimin për pjesën më të madhe të komunave, duke përmbyllur fazën përfundimtare të procesit zgjedhor për Kuvendet Komunale.

