Me gjashtë vota pro, është miratuar propozimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që në buxhetin e KQZ-së të shtohet edhe shuma për realizimin e votimit nga jashtë përmes dërgimit të fletëvotimeve me postë.
Buxheti për zgjedhjet e 28 dhjetorit tash shkon mbi 11.493.000 euro.
Vendimi hasi reagime të forta nga Vetëvendosja.
Anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, paralajmëroi pasoja për ata që votuan pro, nëse mërgatës i pamundësohet votimi:
“Prej 12 dhjetorit nis afati për votim. Ju që votuat pro, mbani përgjegjësi publike e administrative nëse mërgatës i mohohet e drejta e votimit”, tha ai.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kërkoi ndryshim të afateve për t’i dhënë diasporës më shumë kohë për të votuar. Ai theksoi se dy kompani postare kanë njoftuar zyrtarisht se dërgesat mund të arrijnë vetëm pas 7 janarit.
“Me këtë njohuri, me insistu me shpenzu gjithë ato para është absurde”, u shpreh Radoniqi.
Nga pala tjetër, Arianit Elshani (PDK) dhe Muharrem Nitaj (AAK) kërkuan që buxheti të përfshijë patjetër shpenzimet për dërgimin e fletëvotimeve me postë, njësoj si në zgjedhjet e 12 tetorit.
Krasniqi i VV-së insistoi të vazhdohet me buxhetin fillestar, duke theksuar mungesën e kohës për organizim shtesë.

