Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e mbi 70 për qind të votave me postë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas përditësimit zyrtar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), deri tani janë procesuar 13,917 vota, përkatësisht 67 nga 92 kuti të votimit të planifikuara.
Rezultatet paraprake tregojnë një epërsi të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kryeson me 72.56 për qind të votave të numëruara deri më tani.
Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.62 për qind, që përkthehet në 2,036 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pozicionohet e treta me 8.19 për qind, ose 1,571 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mban vendin e katërt me 4.73 për qind, përkatësisht 908 vota.
Procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, ndërsa KQZ pritet të publikojë përditësime të reja në orët dhe ditët në vijim.

