Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 5 janar 2026 është përmbyllur me sukses procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë Kosovës, që i takojnë votimit me postë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Sipas KQZ-së, fillimisht më 23 dhe 29 dhjetor 2025, nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë janë tërhequr 28,555 pako. Pas vlerësimit, 27,600 pako janë aprovuar, ndërsa 955 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Numërimi i këtyre pakove ka nisur të shtunën, 3 janar 2026, në ora 16:00 dhe ka përfunduar pasditen e së hënës, 5 janar 2026.
Ndërkohë, më 2 janar 2026 janë tërhequr edhe 8,180 pako nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, të cilat janë sjellë në Kosovë për procedim të mëtejmë.
Po ashtu, nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr gjithsej 11,867 pako me fletëvotime.
Në total, rreth 58,000 shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar me postë në këto zgjedhje. KQZ bën të ditur se pakot e tërhequra më 2 dhe 5 janar fillimisht do t’i nënshtrohen vlerësimit dhe verifikimit, ndërsa vetëm ato që aprovohen do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Procesi, sipas KQZ-së, po zhvillohet në përputhje me afatet dhe procedurat ligjore, duke garantuar transparencë dhe integritet të votës së diasporës.

