Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 71-të për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë në 35 komuna të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi i KQZ-së vjen pas konfirmimeve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që ka dhënë dritën e gjelbër për shpalljen e rezultateve në këtë fazë.
Këto rezultate përfshijnë komunat: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prizren, Skënderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Nga ana tjetër, sipas informacioneve nga PZAP, procesi i verifikimit dhe vendimmarrjes ende nuk është përmbyllur për zgjedhjet në Prishtinë, Junik dhe Mamushë, ku pritet të jepen rezultatet pas shqyrtimit të ankesave të mbetura.
Pas shpalljes së rezultateve, kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi, njoftoi se subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët për kryetarë kanë afat prej 48 orësh për të paraqitur ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke filluar nga e shtuna, 25 tetor 2025, në orën 19:00.
Ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes zyrtare të ciklit zgjedhor lokal, ndërsa në tri komunat e mbetura pritet që vendimet përfundimtare të merren në ditët në vijim.

