Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 26 nëntor nis zyrtarisht periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Procesi i regjistrimit do të zgjasë 11 ditë dhe përmbyllet më 6 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur për RTK-në se aplikimi mund të bëhet në dy mënyra:
– përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org
– ose me postë, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Në momentin e regjistrimit, votuesit e diasporës mund të zgjedhin njërën prej tre mënyrave të votimit:
-
Votim fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës,
-
Dërgim të fletëvotimit me postë në Kosovë,
-
Dërgim të fletëvotimit në kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë vendit.
Elezi sqaroi se në rast se një përfaqësi diplomatike e arrin numrin maksimal të votuesve që mund të pranojë, kandidatët e radhës – sipas kohës së aplikimit – do të ridrejtohen për votim me postë.
Sipas afateve zyrtare të KQZ-së, votimi nëpër përfaqësi diplomatike do të zhvillohet më 27 dhjetor 2025, një ditë para votimit në Kosovë. Ndërkohë, votimi përmes postës do të jetë i hapur nga 12 dhjetori deri më 27 dhjetor 2025.
KQZ u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen brenda afatit, në mënyrë që të sigurojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

