Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti është diskutuar edhe mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, në rast të një ngërçi institucional.
Krasniqi tha se zgjedhjet nuk janë opsioni i parë i PDK-së, por mund të bëhen të domosdoshme nëse nuk arrihet konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhja e parë, por janë një opsion real. E kemi përmendur këtë mundësi, edhe pse nuk kemi hyrë në detaje teknike se si do të ndodhnin,” u shpreh ai.
Kreu i PDK-së kritikoi qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se insistimi për ta pasur Albulena Haxhiun si kandidaten e vetme për kryetare të Kuvendit mund të krijojë bllokadë politike.
“Nëse LVV këmbëngul me qëndrimin ‘ose Albulena, ose hiç’, dhe e vendos një emër mbi interesin e institucioneve të vendit, atëherë – me dorë në zemër – më mirë është të shkojmë në zgjedhje,” theksoi Krasniqi.
Ai u bëri thirrje partive të tjera që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos e personalizojnë procesin e ndërtimit të institucioneve, duke vënë theksin te rëndësia e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.