Kremlini ka ulur pritshmëritë për një takim të afërt mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump përsëriti thirrjen e tij që dy liderët të ulen në tryezë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton BBC.
Shtysa për një samit të mundshëm erdhi pas takimit të javës së kaluar mes Trump dhe Putin në Alaskë, si dhe pas mikpritjes nga ana e presidentit amerikan të shtatë liderëve europianë dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.
Trump pranoi se konflikti është “i vështirë për t’u zgjidhur” dhe la të kuptohet se Moska mund të mos jetë e interesuar për një marrëveshje.
“Do ta kuptojmë brenda dy javëve të ardhshme se çfarë dëshiron Presidenti Putin. Është e mundur që ai nuk dëshiron marrëveshje”, tha ai të martën, duke shtuar se kjo do ta vendoste Moskën në një “situatë të vështirë”.
Në një intervistë me analistin konservator Mark Levin, Trump sugjeroi se do të ishte më e dobishme që Putin dhe Zelensky të takoheshin pa praninë e tij, ndonëse nuk e përjashtoi mundësinë që të marrë pjesë “nëse do të jetë e nevojshme”.
Putin i kishte thënë Trumpit se ishte “i hapur” për bisedime të drejtpërdrejta me Kievin, por një ditë më vonë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e zbuti këtë angazhim, duke theksuar se çdo proces duhet të përgatitet “gradualisht, duke nisur me nivelin teknik dhe më pas me hapat e tjerë të nevojshëm”.
Edhe Dmitry Polyanskiy, zëvendës-përfaqësues i Rusisë në OKB, deklaroi për BBC se “askush nuk e ka refuzuar” mundësinë e dialogut, por paralajmëroi se “nuk duhet të jetë një takim thjesht për hir të takimit”.
Ndërkohë, shefat ushtarakë të NATO-s pritet të zhvillojnë një mbledhje virtuale të mërkurën, ndërsa shefi i ushtrisë britanike, admirali Tony Radakin, po udhëton drejt Uashingtonit për bisedime mbi vendosjen e një force sigurie në Ukrainë.
Mediat ndërkombëtare raportuan gjithashtu se Putin i kishte sugjeruar Trumpit që Zelensky të shkonte në Moskë për bisedime, një opsion që Kievi pritet ta refuzojë, pasi shihet si një alternativë e papranueshme për Ukrainën.
Burimi: BBC

