Një skandal i rëndë në industrinë e eksportit ushqimor ka shpërthyer pas bllokimit nga autoritetet kroate të rreth 8 ton domate të kontaminuara me pesticide, të eksportuara nga subjekti shqiptar “Era-Fruit”. Tre persona janë arrestuar, përfshirë pronarin dhe dy inspektorët për sigurinë ushqimore pranë AKU-së në Berat.
Analizat kanë treguar se domatet përmbanin nivelin e preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara – 0.06 mg/kg, krahasuar me 0.01 mg/kg të lejuara.
Në pranga janë vënë:
-
Mariglen Maliq Qorri, 40 vjeç, pronar i “Era-Fruit”, i dyshuar për veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
-
Ronaldo Agim Lika, 27 vjeç, inspektor pranë AKU Berat, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
-
Griselda Genci Doksani, 25 vjeçe, inspektore pranë AKU Berat, gjithashtu e dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Operacioni “Again”
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit. Subjekti “Era-Fruit” dyshohet të ketë prodhuar dhe eksportuar drejt Kroacisë domate me nivel të lartë të preparatit “Chlorfenapyr” dhe të ketë përdorur fatura fiktive për të shmangur përgjegjësinë.
Dy inspektorët e AKU, gjatë kontrolleve, dyshohet se kanë falsifikuar praktikat, duke mos marrë mostra dhe mos bllokuar produktet e kontaminuara, duke lejuar në mënyrë të kundërligjshme faturat e falsifikuara.
Nga magazinat e subjektit u sekuestruan perime të ndryshme për analiza të mëtejshme, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime ligjore.