Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një seri takimesh me kongresistë amerikanë në Capitol Hill, duke diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik me Shtetet e Bashkuara.
Në takim me kongresistin Ritchie Torres nga Partia Demokratike, Kryeministri Kurti e falënderoi për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës. Ai informoi kongresistin për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.
Kurti theksoi aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e cilësuar këtë si orientim dhe objektiv strategjik të shtetit. Ai gjithashtu prezantoi planet investive të vendit, duke përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe mundësitë për bashkëpunim dhe investime nga kompanitë amerikane.
Më pas, Kryeministri u takua me kongresistin James McGovern, ku u diskutuan vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, përfshirë pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta nga SHBA-të, heqjen e tarifës doganore ndaj produkteve me origjinë nga SHBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane.
Kurti falënderoi McGovern për angazhimin e tij në kërkimin e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj avancimit të marrëdhënieve Kosovë–ShBA.
Të dy palët ranë dakord të punojnë së bashku për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, me fokus të veçantë në rritjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik në Kosovë.
Kryeministri Kurti u shoqërua në takime nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli.