MALISHEVË – Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka sulmuar ashpër NISMËN gjatë një takimi me qytetarët në Malishevë, ku prezantoi kandidatin e VV-së për kryetar komune, Valon Hotin.
Në fjalën e tij, Kurti tha se komuna ka humbur vite nën udhëheqjen e një subjekti të pafuqishëm politik, duke nënvizuar dështimet në menaxhim dhe keqpërdorimet në investime.
“Komuna e Malishevës ka humbur shumë kohë duke u qeverisur nga një subjekt politik i vogël dhe i pafuqishëm, i cili ishte edhe i dobët në menaxhim edhe keqpërdorues në investim. Prandaj, s’kemi si ta përkrahim nga Republika e Kosovës,” – deklaroi Kurti.
Këto komente të Kurtit vijnë në një moment kur NISMA ishte përmendur si një nga opsionet për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, fjalimi i fundit i Kurtit duket se mbyll çdo derë për një koalicion të mundshëm, duke e kthyer raportin mes dy subjekteve në një përplasje të hapur politike.