Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjen Ramadani për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta pas ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilmi Ramadani.
Gjatë vizitës, kryeministri i shprehu familjes dhe miqve të Ramadanit respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tij të madh në luftën për çlirimin e Kosovës dhe angazhimin e pandërprerë në shërbim të kombit.
“Janë të rrallë veprimtarët e çështjes kombëtare që punuan, organizuan dhe luftuan kaq gjatë si Ilmi Ramadani dhe që frymëzuan e inkurajuan kaq shumë të tjerët. Ai nuk fliste për sakrificat që bënte – ato do të flasin për breza dhe gjenerata të ardhshme të popullit tonë,” shkroi kryeministri Kurti në librin e kujtimeve të familjes.
Vizita e Kurtit vjen si një akt nderimi për jetën dhe punën e Ramadanit, duke vënë në pah rëndësinë e kontributit të tij në historinë dhe lirinë e Kosovës.