Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e Londrës për Mbrojtje, ku ka folur për sfidat e sigurisë, luftën hibride dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se lufta hibride nuk është zëvendësim i luftës klasike, por një fazë përgatitore e saj, e cila sipas tij është bërë tashmë normë globale.
Ai paralajmëroi se ndërhyrjet hibride janë të pranishme pothuajse në çdo proces politik dhe zgjedhor, duke nënvizuar nevojën për rritjen e qëndrueshmërisë dhe adaptueshmërisë së shteteve ndaj këtyre kërcënimeve.
Në këtë kontekst, kryeministri ngriti shqetësimin për ndikimin e Rusisë në rajon, duke e cilësuar Serbinë si një “proxy” të Moskës. Ai përmendi praninë e strukturave dhe ndikimeve ruse në institucionet serbe, si dhe ekzistencën e bazave të përparme operacionale pranë kufirit me Kosovën.
Duke folur për zhvillimet në Evropë, Kurti vlerësoi se lufta në Ukrainë paraqet një mundësi për forcimin e unitetit evropian. Ai u shpreh optimist për rolin e Bashkimi Evropian dhe NATO në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në dekadën e ardhshme.
Në fund, Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe angazhimit të të rinjve, duke paralajmëruar për hendekun në rritje mes gjeneratave dhe rrezikun që kjo paraqet në kohën e sfidave të reja të sigurisë.
Related