Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, dhe deputetin Agim Bahtiri, vizituan dje familjen Mustafa në Shipol të Mitrovicës për të shprehur ngushëllimet me rastin e vdekjes së zyrtarit policor, Shemë Mustafa.
Kurti i shprehu familjes dhe miqve të të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta, duke vlerësuar lart profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e Mustafës në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.
Shemë Mustafa, pjesëtar i Policisë Kufitare, ishte rrëmbyer nga njësitet speciale të Serbisë dy vite më parë, gjatë kryerjes së detyrës në territorin e Republikës së Kosovës. Kurti theksoi se guximi dhe përkushtimi i tij do të mbeten shembull për kolegët e Policisë së Kosovës dhe për gjeneratat e ardhshme.