Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar sot masakrat e fundit të janarit 1999, kur forcat e armatosura të Serbisë vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhinë të Gjakovës, duke rënë në mbrojtje të popullatës civile edhe 21 luftëtarë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në një postim përkujtimor, Kurti theksoi se në mesin e dëshmorëve ishin Vesel Avdyli, Naim Gashi dhe Ilir Merturi, ndërsa nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë nga forcat serbe.
Sot, në qytetin e Klinës, u zbulua medaljoni i kujtesës për Ilir Merturin, në parkun që mban emrin e tij. Sipas Kurtit, ky akt përfaqëson respektin shtetëror për flijimin e dëshmorëve dhe angazhimin institucional për ruajtjen e së vërtetës historike.
“Është kujtesë që na thërret çdo ditë ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre,” theksoi Kurti.
Kryeministri riafirmoi zotimin e institucioneve për dinjitet qytetar, drejtësi shoqërore dhe paqe të sigurt, duke u përkulur me nderim para të gjithë atyre që dhanë jetën për liri.
“Nderim dhe lavdi dëshmorëve Merturi, Gashi dhe Avdyli, si dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar. Nderim të gjithë martirëve të lirisë,” përfundoi Kurti.

