Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Shkëlqesinë e tij Imzot Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vend.
Kryeministri Kurti e uroi Imzot Bianco për detyrën e re dhe i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë Kosovës në momentet vendimtare historike.
Në këtë takim, Kurti theksoi zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit, përkushtimin për harmonizimin e politikave me parimet e Bashkimit Evropian si dhe synimin për anëtarësim në strukturat euro-atlantike. Ai vuri në dukje se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka kontribuar në paqe e siguri në rajon, duke ndikuar edhe në progresin socio-ekonomik të vendit.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e diversitetit kulturor për zhvillimin demokratik, duke përmendur angazhimet e qeverisë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
Në përmbyllje të takimit, Kurti shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë në fusha si kultura, dialogu ndërfetar, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.